Behar Gjoka: “Absurdi shqiptar, historianët bëjnë politikë e politikanët histori”


Petrika GROSI

“Absurdi shqiptar qëndron pikërisht në faktin se historianët dhe artistët bëjnë politikë, ndërsa politikanët bëjnë art dhe histori”. Kështu shprehet, mes të tjerash, në intervistën ekskluzive dhënë dje për gazetën “Albania”, studiuesi Behar Gjoka.
Biseda jonë vijon të rrahë e të trajtojë problemet më të fundit dhe debatet e politikës mbi heqjen e mozaikut nga balli i Muzeut Historik Kombëtar, rishkrimin e historisë dhe probleme të tjera lidhur me marrëdhëniet shtet – art - kulturë.
Kohët e fundit është hapur debati mbi mozaikun e MHK-së. Cili është qëndrimi juaj si studiues dhe punonjës i IMK-së mbi këtë problem?
Si gjithmonë, ne shqiptarët mbytemi me një pikë ujë. Për këtë çështje nuk e kuptoj se si mund të debatojnë politikanët dhe se si heshtin historianët dhe artistët. Heqja apo mbetja aty ku është e mozaikut është çështja më formale që ka të bëjë me shansin që do të fillojmë të ecim në rrugën e qytetërimit apo do të jemi pjesë e rastësive, ku çudia është e pakta fjalë që mund të thuhet. Ky mozaik i përket një kohe të caktuar, patjetër, një kohe të politizuar dhe që shpreh triumfin e një ideologjie, por edhe të fatit të shqiptarëve. Nuk mendoj se do të duhen konsumuar energji për të diskutuar mbi vlerat apo mungesën e tyre në këtë mozaik, por ne do të duhet të kundrojmë çfarë ndodh me situata të ngjashme rreth e përqark nesh, afër dhe larg. Si i trajtojnë këto pamje simbolike kombet e tjera, shtetet apo popujt e tjerë dhe të mos ecim në “rrugë të pashkelura”, siç e kemi në traditë. Muzeologjia tashmë është një shkencë që ka fituar përvojë dhe status dhe çdo qytetar ka të drejtën e shprehjes së mendimit, por që të funksionojë si e tillë, si shkencë, është historia dhe historianët ata që e thonë fjalën e fundit. Puna ngatërrohet kur mendon që vetë historianët janë pjesë e këtij realiteti të indoktrinuar. Mbase është çudi, por mund të jemi rast specifik që historianët i kemi të ndarë në të majtë e në të djathtë, demokratë apo socialistë, kur në fakt shkenca e historisë këto ndajshtime që përmendëm nuk i ka tipare përfaqësimi. Kjo tregon se ende jemi në tranzicionin shpirtëror, ku përzihen me njëra-tjetrën nostalgjia me revanshin, padija me “frymën revolucionare”, e cila herë-herë shfaqet si dukuri e gjithë spektrit politik, çka bën që specialistët, historianët, njerëzit e artit të struken në prapaskenë. Çka realizon gjënë më negative që intelektuali hesht dhe është krenar për heshtjen e tij, sepse qeverisja dhe partitë kanë nevojë t’i kenë pranë për t’i votuar, për t’i adhuruar, për të shërbyer si fasadë e bëmave dhe çudive që realizon çdo ditë politika.
Më konkretisht, si mendoni se mund të zgjidhet çështja e mozaikut në fasadën e Muzeut?
Kjo është një situatë që në fakt, këshilla apo sugjerimi, sido që ta trajtosh, do të gjendet e mjerë përballë realitetit virtual të atyre që i dinë mirë këto punë, ndonëse në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë lidhje me kulturën, me muzetë, me mozaikët. Kjo çështje duhet trajtuar me qetësi dhe argumente jo të këtij momenti, por që të garantojnë një shans të komunikimit ndërmjet qytetarëve shqiptarë, pavarësisht besimit, krahinës, moshës, statusit social etj. Nëse për një palë është zgjidhje heqja e mozaikut, çka do të kërkonte jo pak kohë dhe vlera të konsumuara në mënyrë të çuditshme, për palën tjetër zgjidhja është te ruajtja në gjendjen që paraqitet ky mozaik, madje duke përvijuar edhe krenarinë për këtë fakt. Po ta marrësh nga ana vizuale, ky mozaik përfaqëson një moment historik me një pllakat gjigante të sendërtuar si mozaik, i cili ka disa thyerje në paraqitjen e personave, që të çon menjëherë te modeli i soc-realizmit në pikturë. Por, i vendosur në atë mjedis dhe duke përfaqësuar një kohë të caktuar, vënia dorë do të krijonte një gropë të Hajdin Sejdisë në ballinën e MHK-së, çka do të shëmtonte vetë ndërtesën, por edhe sheshin “Skënderbej”. Mendoj se vetë diskutimi i kësaj çështjeje kaq gjatë, me kaq pasion, me kaq paaftësi historike dhe artistike, e zbret problemin në fushën e debateve pabukse që bëjnë historianët dhe politika shqiptare rreth problemeve, që në fakt u përkasin edhe qytetarëve të tjerë shqiptarë. Tërë ajo fushë ku është vendosur mozaiku, mbase me mjete elektronike, mund të shndërrohej në një dritare për të paraqitur gjatë gjithë ditës e natës pamjet më të bukura të Shqipërisë, muzeut, pa dyshim edhe të vetë mozaikut. Nëse do të hynim për një moment në aspektet e paraqitura të mozaikut, vëmë re se janë 13 persona dhe në mozaik gjenden 25 këmbë. Do të ishte thjesht një faktologji që nuk sjell dobi në diskutimin e kësaj çështjeje, e cila nuk ka arsye të numërojë as fustanellat, as pamjet, as numrin e gurëve të shpenzuar për fytyrën apo për krahët. Ne duhet ta shohim të vërtetën në sy, të vërtetën e një kohe të caktuar, e cila e gjykuar në këto momente do të thosha që nuk ka arsye të mos jetë e pranishme në muze, histori, veprat e artit e më gjerë se kaq.
Zgjidhjet që ofrohen më tepër janë si një rrahje e ujit në hava për të treguar zellin ndaj skalioneve ku gjenden si botëkuptim, sesa të paraqitjes bashkëkohore të mbijetesës shqiptare në shekuj, që përmbledh dhe e fikson Muzeu me të gjithë elementët e vet.
Ndërkaq vazhdon herë pas here të rikthehet në qendër të vëmendjes një tjetër debat, ai mbi ndryshimin e historisë...
Mendoj se dhe kjo historia e vogël e mozaikut është pjesë e skenarit të prezantuar para disa kohësh për ta rishkruar historinë. Vetë koncepti i rishkrimit të historisë është absurd, sepse historia ndodh, lexohet dhe shkruhet nga historianët. Kjo situatë në realitetin shqiptar deri tani ka funksionuar si shkrim i historisë për nevojat e pushtetit. Historia e një pushteti dihet që është e përkohshme dhe nuk ka të bëjë me thelbin e historisë së një kombi dhe të njerëzimit. Jemi në paradoks, historianët bëjnë politikë dhe politikanët marrin përsipër të bëjnë historinë. Është një paradoks që, me sa duket, do të na ndjekë si mallkim ne qytetarëve shqiptarë. Sepse ndërrimi i vendeve të historianëve dhe politikanëve ka bërë që të mos qartësohen raportet e marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve, ku shteti përfaqëson vlerën e atyre që janë në pushtet dhe të opozitarëve, të atyre që e kanë votuar, ose e kanë abstenuar, të atyre që e duan ose nuk e duan një qeverisje. Historia nuk ka të bëjë me këto aspekte. Do ta mbyllja këtë ide me një thënie të Niçes, “... historia është interpretim i fakteve”, që lë hapësira të pafundme, që profesionistët e historisë të braktisin botëkuptimet dhe shërbimin ndaj pushtetit dhe t’i shërbejnë vetëm se historisë si faktologji. Historia është ajo që na bashkon si sakrificë dhe mbijetesë. Çdo përpjekje për ta hipotekuar historinë në themele pushteti apo partitizmi, çon në shpërdorimin e historisë, në shpërdorimin e reformimit të mentalitetit të institucioneve që herë-herë zbulojnë lidhjet me të kaluarën e djeshme, afër dhe larg, dhe gjithashtu, zbulojnë paaftësinë e dëshmuar të shkencës së historiografisë shqiptare për ta ndriçuar rrugën e ekzistencës së shqiptarëve në këto troje. Gjëja e parë që ne duhet të bëjmë është që të largojmë politikën nga “rregulli” i pashpallur, për ta përdorur historinë për nevoja përkohësie. Historia, e madhe apo e vogël, krenare apo gjysmëkrenare, është vlerë e shpirtit të një kombi dhe nuk mundet të aneksohet në bashkësi interesash të situatave të përkohësisë.
Po institucionet e kulturës si shfaqen në këtë realitet, sipas syrit tuaj kritik?
Me krenari memeci, që do të thotë se asnjëherë nuk janë në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me zgjidhjen e duhur për nevojat që ka transformimi shpirtëror që buron prej kulturës të këtij populli. Institucionet e kulturës më tepër janë mbyllur në ato interesat e ngushta se si ta kenë mirë me ministrin apo kryeministrin, me drejtorin apo me donatorin, me pjesën që në fakt do të duhej ta ndriçonte kulturën si vlerë dhe jo thjesht të kishim atë situatën e fasadës kulturore, ose të kulturës së fasadës. Me termin “fasadë kulturore” kuptoj përpjekjet absurde dhe të pamundshme për të sjellë ndryshim të institucioneve qendrore apo lokale që ndonëse janë pjesë e strukturës dhe infrastrukturës së ndryshimeve kulturore, në shumicën e rasteve, ata, lyerjen me bojë të institucioneve, e quajnë kulmin e reformimit dhe paraqitjen e pafundme nëpër televizione apo gazeta e quajnë nivelin më të lartë të përfaqësimit. Mediatikisht, në fakt, institucionet e kulturës janë në krye të detyrës, por se të cilës detyrë, as ata vetë nuk e dinë.
Po në letërsi, sa ndihet ky “diktat” i politikës së ditës?
Në muajin dhjetor ’07 u pagëzuan fitimtarët e rinj të konkursit të çuditshëm letrar të MTKRS-së, që sipas orientuesve të kësaj mënyre konkurrimi na qenkësh vjetruar vlerësimi me “Penda të Arta apo të Argjendta”. Me siguri, kjo përvojë do të merret në konsideratë nga çmimi shekullor “Nobel”, që t’ia ndërrojmë emrin. Në këtë kuptim mendoj që si qeverisja, si opozita kanë rënë dakord që kultura ka vlerë vetëm për të thënë që ata janë të kulturuar, pra ta përdorin kulturën si një makiazh për t’u paraqitur modernë dhe të pashëm para publikut. Besoj se nuk ka nevojë t’i kushtosh më tepër vëmendje pagëzimit mediokër të shkatërrimit të vlerave letrare. Letërsia nuk ekziston prej çmimeve, madje, në shumicën e rasteve ajo është larg zhurmës. Një letërsi e tillë ecën më përtej pushteteve dhe karrigeve të juristëve të zyrtarshëm, të çdo kahu qofshin. Letërsia, në fakt, do të duhet liruar prej prangimit të zyrtaritetit, të formulimeve të mjera të verifikimit, të çmimeve absurde dhe të funksionojë me ligjësoritë letrare të kumteve që nuk kanë nevojë për etika dhe etiketa zyrtariteti.

Marre nga gazeta "Albania"

Ps..Mbas leximit te ketij artikulli mu duk plotesisht i drejte dhe i llogjikshem gjykimi dhe arsyetimi i studiuesit Behar Gjoka!

Respekte